Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, ka zbuluar detaje nga ndalimi i tij nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Merdarës. Në një lidhje direkte për emisionin “Shqipëria Live”, Agusholli tha se ishte marrë në pyetje nga policia serbe dhe mbajtur për disa orë në ambientet kufitare.
“Sipas tyre, telefoni im mund të ishte klonuar. Por unë nuk kam pasur asgjë për të fshehur, ndaj nuk e mora shumë seriozisht,” tha ai. “Marrja në pyetje u zhvillua në ambientet kufitare të policisë së Serbisë. Kur më liruan, nuk më dhanë asnjë shpjegim – më thanë vetëm se mund të vazhdoja rrugën.”
Agusholli tha se, pas lirimit nga autoritetet serbe, ai u ndal edhe në kufirin kroat për rreth 30 minuta dhe aktualisht ndodhet në Zagreb, në rrugë drejt Sllovenisë.
Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë marrjes në pyetje, oficerët serbë përmendën edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
- Advertisement -
“Sa i përket faktit që në Kosovë nuk po krijohet dot qeveria, ata përmendën që, sipas tyre, kryeministri Kurti është shumë kokëfortë dhe nuk lëshon pe,” tha Agusholli.
Ish-deputeti ishte nisur për në Slloveni përmes territorit serb, ku edhe u ndalua për disa orë për arsye të paqarta, përpara se të lirohej pa akuza.