Ish-kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit që pritet të mbahen në katër komunat veriore të vendit. Ai tha se nuk pret që Lista Serbe të krijojë probleme, pasi mund të ketë ndëshkime të ashpra për Vuçiqin nga BE-ja.
Por, Bahtiri u shpreh skeptik në daljen e qytetarëve në zgjedhje dhe legjitimitetin që ato mund të kenë.“Mendoj se Lista Serbe nuk do të krijojë probleme. Këto zgjedhje i ka përkrahur edhe Bashkimi Evropian. Nisja e gjithë atyre të këqijave që kanë ndodh më parë janë prej Presidentit të Serbisë, po kësaj radhe ai e ka më të vështirë për të ndikuar për arsye se është në një situatë mjaft të keqe. Ai është nën përcjelljen e Bashkimit Evropian dhe çdo lëvizje e tij është një dështim i tij personal por edhe do ta ndëshkonte në mënyrën më rreptë Bashkimi Evropian. Këto zgjedhje se sa do të kenë rezultat nuk e di, por e di se nuk do të ketë probleme të natyrave të mëdha, por sa do të jenë të vlefshme dhe sa do të dalë popullata nuk e di. Mund të ndodhë që popullata mos të dalë mjaftueshëm për t’i legjitimuar këto zgjedhje por mendoj se siguria do të ejtë në nivelin e duhur”
Ish-kryetari i Mitrovicës deklaroi se ‘Lista Serbe’ do t’i bëjë presion serbëve në Veri që të bojkotojnë zgjedhjet.“Lista Serbe do të jetë shumë e fuqishme duke i bërë presion serbëve në pjesën e Veriut që të bojkotojnë këto zgjedhje. Kjo është ajo që më së shumti mund të ndodh, kurse për raste të dhunës, nuk besoj që do të ketë” tha Bahtiri në një deklaratë dhënë për “Gazeta Blic”.
Në mbledhjen e mbajtur dje nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve(KQZ) u miratuan 19 qendra votimi nga 44 në total.
- Advertisement -
Në mbledhje u tha se 6 prej tyre do të hapen në qendra të zakonshme dhe 13 pritet të jenë qendra alternative.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla u shpreh optimist se procesi zgjedhor me 23 prill, në katër komunat veriore, do të përfundojë i qetë dhe me sukses.“Me rëndësi është të institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor, ashtu siç është më së miri. Unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundojnë i qetë, i suksesshëm, duke i tejkaluar edhe problemet të cilat i përmenda”, u shpreh ai.
Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri të vendit.Konjufca tha se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk do të shtyhen më shumë se njëherë.
“Unë mendoj se ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i shteteve të QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e paralajmëruara më 23 prill, nuk ka formim të Asociacionit.Mendoj se Kosova nuk ka nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë” deklaroi Konjufca raporton Gazeta Blic.