Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. ka bërë të ditur se gjatë këtyre muajve të fundit përmes operatorit të licencuar ekonomik Enternet, kanë bërë leximet e të dhënave të të gjitha arkave fiskale.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore.
Trainkos shton se për rastin në fjalë janë larguar 12 punonjës nga puna.
“Ky njoftim po bëhet tani pasi që rasti është trajtuar proceduralisht sipas rregulloreve të brendshme dhe ligjeve që na obligojnë në këto raste, dhe se janë marrë vendime nga komisionet gjegjëse sipas Rregullores së Marrëdhënies së Punës dhe Procedurës Disiplinore në Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A., konformë gjetjeve të bëra, dëshmive të ofruara dhe peshës së veprës. Në kuadër të saj ndaj 12 punonjësve është marrë masa disiplinore e shkëputjes së marrëdhënies së punës, ashtu siç precizohet në rregullore për këto raste”, thuhet në njoftim.
- Advertisement -
Aty shtohet se nga raporti i fundit, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh, “dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e pa lexuara dhe shuma totale pas kësaj”.
Poashtu, shtohet se për rastin në fjalë janë njoftuar dhe organet e rendit dhe të hetuesisë, ndërsa sipas të dhënave të nxjerra nga memoriet e arkave, Ndërmarrjes dyshohet t’i jetë shkaktuar një dëm i konsiderueshëm në të holla, si dhe në vet imazhin e saj.
“Për dëmin e shkaktuar dhe për memoriet e mbetura pa lexuar, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e autoriteteve ligj zbatuese, si dhe ato të hetuesisë, nga të cilat kërkojmë që zyrtarisht të nisin hetimet, duke qenë se vepra e kryer përmban disa elemente të veprave penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, Trainkos Sh.A., i bën thirrje zyrtarisht Prokurorisë së vendit që të nisë hetimet”.