Realiteti i dytë me kate të padukshme
u bindet ligjeve të hijeve e ulërimave të hënave
me buzët e ujqërve.
Aty qeniet janë të zbehta e të tejdukshme;
mizat e vogla i përcjellin me një fetë bukë,
të ngjyer në uthull
e yjet i presin me shporta druri,
kurse sytë e lagësht i kanë si lëndina me aromë pranvere;
ku ndodhen edhe vdekjet e paardhura
ose ato që vijnë e ikin…
Fjala jeton kokëposhtë varur në çengela prej hekuri
në tavane që ngjasojnë me qiellin.
Psalme;
psalme të vrullshme që dëgjohen nga foletë e dallëndysheve.
Është mëngjes në katin e sipërm të realitetit,
ajo botë e vogël prej qeniesh të mëdha,
jeton lartësimin e syve
e vijat përkulse të jetës janë prapavijat
e një dashurie të madhe.
Anjeza Dielli
17.08.2024