Një kërkesë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për t’iu adresuar publikut në natën finale të Eurovisionit, që mbahet të shtunën në qytetin anglez të Liverpoolit, është refuzuar nga transmetuesit publikë.
Në një deklaratë të postuar në faqen e vet të internetit, të enjten, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), që mbledh rreth vetës transmetuesit publik të vendeve të Evropës, dhe që mbikëqyr këtë organizim, theksoi rëndësinë e natyrës “jopolitike” të Eurovisionit, ngjarje muzikore që ndiqet nga miliona njerëz në mbarë botën.
“Ky parim ndalon mundësinë e bërjes së deklaratave politike ose të ngjashme si pjesë e garës muzikore,” sqaroi EBU.
“Kërkesa e zotit Zelensky për t’iu drejtuar audiencës në Eurovision, ndonëse e bërë me qëllime të lavdërueshme, për fat të keq nuk mund të aprovohet nga menaxhmenti i EBU-së pasi do të ishte kundër rregullave të organizimit të kësaj ngjarjeje,” shkruan në deklaratë.
- Advertisement -
Kështu, nëse do t’i ishte lejuar t’i drejtohej publikut në këtë ngjarje muzikore, presidenti ukrainas do ta kishte përdorur momentin për të tërhequr vëmendjen ndaj agresionit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia – dhe Eurovisioni do të kishte qenë një skenë e duhur dhe prekëse për të bërë një gjë të tillë. Për më tepër, duke qenë se konkursi i këtij viti po zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar sepse Ukraina, fituesja e garës së vitit të kaluar dhe vendi pritës i ligjshëm sipas rregullores së Eurovisionit, nuk ishte në gjendje ta organizojë këtë garë muzikore për shkak të agresionit rus.
Megjithatë, EBU sqaroi në deklaratë se ka bërë shumë përpjekje për të siguruar që muzika dhe kultura ukrainase të jenë të dukshme gjatë dy mbrëmjeve gjysmë finale dhe asaj finale që mbahet të shtunën, organizuar nga transmetuesi britanik BBC, në emër të transmetuesit publik të Ukrainës, UA:PBC.
EBU renditi paraqitjen e 11 akteve muzikore ukrainase, bashkëpunimet me një agjenci ukrainase të dizajnit dhe një seri prej 37 filmash të shkurtër si shembuj të “mënyrës më të mirë” për të “reflektuar dhe festuar fitoren e Ukrainës në Eurovision dhe për të treguar se ne jemi të bashkuar nga muzika në këto kohë të vështira.”
Organizatorët konfirmuan vitin e kaluar se pjesëmarrja e Rusisë nuk do të lejohej në Eurovision. “Vendimi pasqyron shqetësimin se në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë, përfshirja e Rusisë në këtë garë muzikore të këtij viti, do ta çonte konkurrencën në diskreditim.”