Shkencëtarët nxorën nga flokët e Bethovenit sekuencën e tij gjenetike për të hulumtuar rreth problemeve të tij të shumta shëndetësore. Flokët që ruheshin në një muze në Gjermani treguan arsyet e mundshme të vdekjes së tij. Përbërja gjenetike e Bethovenit tregoi se ishte shumë i rrezikuar nga sëmundja e mëlçisë dhe ishte i infektuar me hepatitin B. Këta faktorë, së bashku me konsumin e rregullt të alkoolit, ndoshta shkaktuan vdekjen e tij në moshën 56 vjeçare.
Kompozitori me famë botërore Ludvig van Bethoven njihej edhe për shëndetin e tij jo të mirë. Tashmë shkencëtarët gjermanë dhe britanikë kanë nxjerrë ADN-në nga një tufë e flokëve të tij që ruhet në një muze në Bon, të Gjermanisë. Ata besojnë se mund të kenë zbuluar nga se vdiq kompozitori. Bethoveni kaloi dekada të tëra me probleme shëndetësore, që nga probleme të rënda të aparatit tretës dhe deri tek humbja e dëgjimit që e la atë të shurdhër.
“Nuk arritëm të gjejmë një shkak gjenetik për humbjen e dëgjimit. Nuk ka variante të dëmshme të gjeneve që mund të kenë sjellë humbjen e dëgjimit”, thotë studiuesi Tristan Begg.
Vetë kompozitori pati shkruar se dëshironte që doktorët t’i studionin problemet e tij shëndetësore pas vdekjes.
- Advertisement -
“Me Bethovenin në veçanti, është rasti kur sëmundjet kufizuan shumë krijimtarinë e tij. Dhe për mjekët ka qenë gjithnjë mister se çfarë fshihej pas kësaj”, thotë Axel Schmidt, ekspert i gjenetikës në Spitalin Universitar të Bonit.
Nga ADN-ja e nxjerrë nga flokët e ruajtura në muze, shkencëtarët nuk arritën të gjejnë shenja të sakta se çfarë shkaktoi humbjen e dëgjimit, apo problemet e tij me aparatin tretës.
Por, ata konstatuan një faktor të rëndësishëm për shfaqjen e sëmundjes së mëlçisë, së bashku me shenjat se kompozitori ishte infektuar me hepatitin B në muajt përpara vdekjes së tij.
Të kombinuara me konsumin e rregullt të alkoolit, të dokumentuar në “librat e dialogimit” që ai përdorte për të komunikuar pasi humbi dëgjimin, këta faktorë duken se mjaftuan për të shkaktuar ndalimin e funksionimit të mëlçisë së Bethovenit dhe për rrjedhojë vdekjen e tij.
“Pra kemi sëmundjen e mëlçisë që iu zhvillua për gjashtë apo shtatë vitet e fundit të jetës së tij. E dokumentuar fillimisht në vitin 1821 me një verdhëzë që zgjati dy muaj, dhe që ndoshta rishfaqet në dimrin e vitit 1824-1825, si dhe me rrjedhjen e shumtë të gjakut nga hundët, të cilën ai e ka përshkruar. Në pranverën e vitit 1825, ai përshkruan se si i doli një sasi të madhe gjaku nga rrugët e frymëmarrjes, dhe kjo është ndoshta një tregues i cerozës dhe përparimit të mëtejshëm të sëmundjes së mëlçisë”, thotë zoti Begg.
- Advertisement -
Rezultatet e diagnostikimit të tij pas vdekjes nëpërmjet ADN-së u publikuan në një studim në revistën Current Biology.
“Nuk e njohim veprën e tij pa sëmundjen e tij. Nuk dimë se si do të kishte qenë nëse nuk do të ishte i sëmurë. Sëmundjet e Bethovenit janë pjesë e mitit të Bethovenit. Pra, në imagjinatën tonë, ai mund t’i krijonte këto vepra vetëm nëse ishte i sëmurë. Kjo është gjithashtu pjesë e mitit të artistit – se sa më i sëmurë të jetë, aq më produktiv ai bëhet në shprehjen e tij artistike”, thotë Julia Ronge, përgjegjëse në shtëpinë muze të Beethovenit.
Fama e Ludvig van Bethovenit është vërtet monumentale. Simfonia e tij e 9-të është më e preferuara në ceremonitë shtetërore në mbarë botën, dhe simfonia e tij dramatike numër 5 është ndoshta ndër pjesët më të famshme në historinë e muzikës botërore.