Shkruan: Albert Krasniqi
Si është menaxhuar në të kaluarën me sektorin e energjisë, mjafton të përmendim çmimin e shitjes së distribucionit prej 26.3 milionë euro – që është fitimi i një viti – dhe faljen e katër hidrocentraleve.
Si po menaxhohet tash me sektorin e energjisë:
- KEK-u është kapur me drejtor partiak, i cili është në pranga për shkak të akuzave të Prokurorisë për manipulime në tender. Nën menaxhimin e tij, KEK ka pësuar dëm prej 30 milionë euro vetëm në vitin 2021 nga rënia e prodhimit, dhe humbje milionëshe po shkaktohen çdo ditë nga lënia jashtë funksionit e Bllokut A5. Në media po dalin çdo ditë skandale prej kontratave një burimore që kapin vlerën e 80 milionë euro;
- KEDS-i – kompani private që ka monopol dhe çmim të garantuar – është subvencionuar me 75 milionë euro prej taksave tona për t’ia mbajtur lartë fitimet;
- KOSTT-it i janë ndarë 40 milionë euro për të paguar faturat e energjisë të serbëve në veri;
- ZRRE-ja – për ne që paguajmë – ka shtrenjtuar tarifat e energjisë elektrike për 130%;
- ÇiçavicaWindFarm, kompani ndërkombëtare që planifikonte të investonte 100 milionë euro në projektin për prodhim të energjisë elektrike me erë, është tërhequr pasi institucionet janë vonuar për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik;
- MCC-s i është refuzuar projekti 200 milionë dollar për kyçje në gazsjellësin me Maqedoninë e Veriut;
- Martini mbahet ambasador përkundër përfshirjes në skandalin 100 milionësh me mafinë energjetike të Ballkanit;
- Nagipi mbrohet nga pushteti, jo pse s’ka vjedhur, por pse e kanë zënë.
Në ndërkohë, dy komisionet hetimore për energji të Kuvendit – për një vit – nuk kanë arritur të zbardhin asgjë. As këta për ata, as ata për këta!