Njësiti i Antidrogës i Policisë së Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për posedim droge, ndërsa gjatë tentimit për ta ndalë, ai ka tentuar t’i ikë Policisë, por më pas është arrestuar. Sipas njoftimit, atij i është konfiskuar një revole, derisa gjatë kontrollit në shtëpi edhe një kallash e një sasi tjetër e drogës.
Policia në njoftim thotë se sot rreth orës 15:35, hetuesit e Sektorit Qendror të Antidrogës së Policisë së Kosovës në Prishtinë, pas një pune hetimore dhe punës operative në teren kanë arritur tek informacionet relevante ku dyshohej se një person është duke bërë shitblerje të substancave narkotike.
“Pas një pune profesionale të hetuesve policor personi i dyshuar mashkull kosovar me iniciale (F.D; viti i lindjes 2000) është identifikuar dhe është takuar në rrugën “Beqë Lokaj”, në Prishtinë, të cilin Policia e ka paralajmëruar të ndalet, por i njëjti ka hedhur në tokë një qese me substancë të dyshuar narkotike (me peshë prej 30 gramëve) dhe ka filluar të ikë duke vrapuar me shpejtësi. Policia ka vazhduar ndjekjen aktive të personit të dyshuar dhe brenda pesë minutave ka arrit ta ndaloj dhe arrestojë të njëjtin, ku pas kontrollit në trupin e tij është gjetur një pistoletë 7.65 mm, me një karikator me pesë (5) fishekë, (965) euro si dhe një telefon celular (Iphone 13 pro max)”, njofton Policia.
Në konsultim me organet e drejtësisë, sipas njoftimit, atij i është bastisur shtëpia në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar në lidhje me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”, vepër kjo e sanksionuar me kodin penal të RKS-së.
- Advertisement -
“Gjatë operacionit të bastisjes në shtëpinë e personit të dyshuar në cilësi të provave materiale është gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë AK-47 me një karikator dhe 2 fishekë, si dhe dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë: njëra prej 556 gramëve dhe tjetra qese prej 568 gramëve (në total marihuana e konfiskuar rezulton: 1 kg 154 gram)”, njofton Policia.
Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit i dyshuari, sipas njoftimit të policisë, ndalohet për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës.