Sot po mbahen zgjedhjet për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në këto zgjedhje votohet në 19 qendra të votimeve në këtë pjesë të vendit, ndërkaq të drejtë vote kanë 45 mijë votues.
Kujtojmë se këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.
08:46 – Në Çabër deri më tani kanë votuar 50 qytetarë
- Advertisement -
Në komunat veriore, Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës.
Në fshatin Çabër të Zubin Potokut, në Qendren e Votimit në shkollën “Osman Rama”, deri më tani kanë votuar 50 persona.
Sipas menaxherit të kësaj qendre, Enver Hasani, kanë të drejtë vote 1 mijë e 534 qytetarë.
Ekipet e Klan Kosovës nga afër po e përcjellin procesin zgjedhor/ Klankosova.tv
08:27 – Elezi: Qendrat e votimit në veri janë hapur me kohë, 45 mijë 95 qytetarë kanë të drejtë vote
- Advertisement -
Ka nisur procesi zgjedhor në katër komuant veriore.
Qytetarët e Mitrovicës së veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, do të zgjedhin kryetarët e komunave.
Po ashtu do të ketë zgjedhje edhe për dy Kuvende Komunale, atë të Zveçanit dhe Leposaviqit.
- Advertisement -
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në konferencën e mbajtur për media tha se numri i qytetarevë me të drejtë vote është 45 mijë e 95.
“Sipas planifikimeve është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet. Natyrisht, sipas procedurave materialet zgjedhore janë shpërndarë nën përcjelljen e policisë. Sipas informacioneve që kemi pranuar nga Komisionet Komunale Zgjedhore, janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit, gjithsejt 19 qendrat e votimit që do të presin qytetarët gjatë ditës, gjashtë prej tyre janë të rregullta dhe 13 të tjera alternative”, tha Elezi.
08:26 – Zgjedhjet në veri, policia: Kemi angazhuar numër të mjaftueshëm të policëve
Në katër komunat veriore sot po mbahet zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Për të shkuar gjithçka mbarë në procesin e zgjedhjes së udhëheqësve komunalë atje, policia, Prokuroria e Shtetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë hartuar një plan të përbashkët.
Sipas organeve të rendit, për të realizuar një proces të qetë dhe të suksesshëm zgjedhor janë angazhuar një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë.
“Synimi i PK-së si çdo herë mbetet, që përmes realizimit të detyrave në mënyrë profesionale të garantojë ushtrimin e lirë të së drejtës së votës, të ndërmarrë veprime parandaluese ndaj dukurive negative dhe aktiviteteve kriminale që në çfarëdo mase do të rrezikonin sigurinë, qetësinë dhe stabilitetin në vend”, njofton policia.
Policia inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo rast kundërligjor që ndërlidhen me sigurinë dhe procesin zgjedhor.
“raportime këto të cilat do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thuhet në njoftim.
08:11 – Zveçan: Qendra e votimit në shkollën fillore “Isa Boletini” hapet me një orë vonesë
Qendra e votimit në shkollën fillore “Isa Boletini” në Zveçan është hapur me një orë vonesë.
Këtë vonesë e shkaktoi mosarritja me kohë e materialit për votim.
Në këtë qendër mund të votojnë banorët e dy fshatrave të kësaj komune, Zhazhë dhe Lipë.
07:54 – Hapet me kohë edhe qendra më e madhe e votimit në Zubin Potok (VIDEO)
Qendra më e madhe e Votimit në Zubin Potok është hapur me kohë siç është paraparë në orën 7:00.
Në këtë qendër alternative, e cila është e vendosur në magjistralen Mitrovicë-Bërnjak, konkretisht në dalje të Zubin Potokut, janë gjithsej 3 vendvotime.
Nëpër këtë qytet janë parë duke patrulluar edhe ekipe të Misionit Paqeruajtës të KFOR-it si dhe të EULEX-it.
Theksojmë se 6661 qytetarë kanë të drejtë vote në këtë qytet verior.
Në garë për të parin e kësaj komune janë dy kandidatë, Flatron Hasani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
07:47 – Vendvotimi te Stacioni i Autobusëve në Mitrovicën veriore hapet me 10 minuta vonesë
Vendvotimi te Stacioni i Autobusëve në Mitrovicën veriore është hapur me 10 minuta vonesë për shkak të disa problemeve teknike.
Votues i parë në këtë pikë ishte zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku.
Sadiku u bëri thirrje edhe qytetarëve serbë të votojnë në zgjedhjet e sotme.
“Shpresoj që komuniteti shumicë në zgjedhjet e ardhshme të marrë pjesë. Shpresoj të ketë tranzicion. Mitrovicës i duhet normalizim e qetësi. Shpresoj të kalojë mbarë pa asnjë telashe.
07:42 – Hapen vendvotimet në Leposaviq, voton kandidati i Partisë së Serbëve të Kosovës
Vendvotimet janë hapur edhe në Leposaviq.
Në këto zgjedhje ka dalë për të votuar edhe kandidati i Partisë së Serbëve të Kosovës, Radomir Radojiq.
Kujtojmë se në këto zgjedhje nuk merr pjesë Lista Serbe.
07:32 – Hapen qendrat e votimit në Zveçan
Edhe qendrat e votimit në Komunën e Zveçanit janë hapur me kohë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës dhe këshilltarë komunalë, të cilat po mbahen sot në vendin tonë.
Janë gjithsej pesë qendra të votimit në të cilat 6 mijë e 998 qytetarë të kësaj komune do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Situata aktuale e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë problem, ndërsa vërehen pjesëtarët e Policisë së Kosovës afër këtyre qendrave, sidomos atyre alternative, të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër./KP
07:30 – Hapen të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës
Në veri të Mitrovicës ashtu siç është paraparë, të gjitha pesë qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra.
Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të paraparë, ndërsa vërehet numër jo i madh i qytetarëve, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, të cilët kanë dalë në mëngjes për ta ushtruar detyrën e tyre të votës.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në përjashtim të një kandidateje të pavarur, dhe nga gjithsej 19 qendra, 6 janë të rregullta dhe 13 alternative.
Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona.