Disa nga ankesat e qytetarëve për “Prishtina Parking” do të mund të zgjidhen, pasi ato janë përfshirë në draft rregulloren për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në kryeqytet.
Nëse ajo miratohet si e tillë, kryeqytetasit do të mund të regjistrojnë edhe veturën e dytë e të tretë për shfrytëzimin e parkingut, derisa është zgjatur edhe orari i pagesave.
“Pagesa e parkimit në zonën 1 bëhet çdo ditë të javës, duke filluar nga ora 7:00 deri në 24:00, dhe nuk kryhet të dielave ose në ditët e festave”, tha Florian Dushi, Drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Ai tregoi se do të ndryshojë edhe taksa vjetore, ku zona 1 do të jetë 100 euro, zona 2 do të jetë 50 euro dhe zona 3 prej momentit të hyrjes në fuqi të rregullores, në kohëzgjatje prej 2 viteve do të jetë e liruar nga taksa. Po ashtu janë rregulluar edhe vendet e rezervuara për banorët.
- Advertisement -
“Hapësira me ngjyrë të kaltër me sinjalizim vertikal është e përcaktuar për banorët, vetëm ata me leje të vlefshme që parapaguajnë mund të parkohen në zonën me ngjyrë të kaltër, të tjerët mund ta shfrytëzojnë vetëm deri në orën 16”, tha tutje ai.
E nga Prishtina Parking besojnë se nuk është e nevojshme që të bëhet ndarja me ngjyra, por të përdoren tabela vertikale, pasi që edhe janë duke vendosur të tilla.
Kryeshefi Sokol Havolli, po ashtu pohoi se tani do të ketë hapësira të mjaftueshme komerciale për vizitorët që banorët mund t’i kenë brenda familjes.
Këto u bënë të ditura në një dëgjim publik që u mbajt për dy ditë. Të mërkurën pati më pak qytetarë, ndërsa të enjten më shumë kryeqytetas iu përgjigjën ftesës.
Ata i treguan kërkesat e tyre, e përgjigje iu dha i pari i Prishtinës, Përparim Rama. Ai tha se rregullorja edhe nëse miratohet si e tillë nuk do të thotë që është e fundit dhe se do të mund të përmirësohet sërish.