BE-ja shprehet e zhgënjyer për mospjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet lokale, në katër komunat veriore të Kosovës. Në një përgjigje për Radio Kosovën një zëdhënës i BE-së ka thënë se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në struktura e nivelit qendror dhe lokal.
Më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku), me shumicë serbe, pritet të mbahen zgjedhjet lokale. Lista Serbe, por edhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët në Kosovë kanë deklaruar që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje.
Një zëdhënës në Bruksel i ka thënë Radio Kosovës, përmes emailit, se është për keqardhje bojkotimi i zgjedhjeve nga përfaqësuesit politikë të serbëve lokalë.
“Prandaj është shumë zhgënjyese që Lista Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët e Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore,” thuhet në përgjigjen e BE-së.
- Advertisement -
Në nëntor të viti të kaluar përfaqësuesit serbë në Kosovë janë larguar nga të gjitha institucionet kosovare, përfshi këtu pozitat në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri.
Largimi kishte ardhur sepse serbët e Kosovës nuk e mbështesnin vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS (Republika e Kosovës.)
Nga Brukseli thonë se BE-ja është angazhuar, me partnerët e saj, për të de-përshkallëzuar tensionet dhe që serbët t’i përmbushin detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucione vendore.
“Deri më tani është bërë pak përparim. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë,” thuhet në përgjigjen e tyre.
Me datë 27 shkurt të këtij viti Kosova dhe Serbia nënshkruan një Marrëveshje për Rrugën e Normalizimit ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u përcoll me nënshkrimin e një Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes, e nënshkruar në Ohër të Maqedonisë me 18 mars.
- Advertisement -
Sipas BE-së “Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal.”
Sipas BE-së, ata nuk mund ta detyrojnë as Kosovën e as Serbinë që këto procese demokratike të jenë të suksesshme.
“Është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore,” thuhet krejt në fund në përgjigjen e BE-së, për Radio Kosovën.