Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.
Ai ka theksuar se për këtë çështje ka pasur një kompromis dhe se zgjedhjet me rekomandim të ndërkombëtarëve njëherë janë shtyrë.
Konjufca ka thënë se kanë marrë garanci nga ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk do të shtyhen më shumë se njëherë dhe se kjo çështje ka përfunduar.
“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit … Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim. Nuk mund që ne të kushtëzohemi prej Vuçiqit, prej Beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur të ketë zgjedhje ose jo në Kosovë”, ka theksuar Konjufca, duke shtuar se Kosova nuk ka kurrfarë obligimi për Asociacionin.
- Advertisement -
Ai ka folur edhe për marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas tij e ka treguar vullnetin e mirë të Kosovës për të ecur përpara dhe qëndrimin destruktiv të Serbisë dhe të presidentit të saj Aleksandar Vuçiq.
“Serbia po mendon që kjo marrëveshje e ka vetëm një kapitull, e ka vetëm Asociacionin, unë mendoj se Asociacioni është kapitulli i fundit i kësaj marrëveshjeje, dhe kështu është në të vërtetë, aty nuk ka as referencë eksplicite të Asociacionit, është vetëm neni 10 ku thuhet që duhet zbatuar marrëveshjet e kaluara, ato që janë të ligjshme”, është shprehur Konjufca.
Për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, pas mbledhjes së Kryesisë ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Ai ka thënë se Qeveria duhet që për këtë çështje të bashkërendojë veprimet me faktorin ndërkombëtar.
“Agjenda e Qeverisë së Serbisë është e hapur, nuk është fshehur, është armiqësore, është me synime destabilizuese dhe dashakeqe, Ata po i presin gabimet tona dhe këtu duhet të jetë i kujdesshëm kryeministri Kurti dhe Qeveria që të mos krijojnë alibi, sidomos tek faktori ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja. Bashkërendimi i kësaj agjende, për çdo veprim që lidhet me këtë temë është i rëndësishëm, Serbia nuk mund t’i vë kushte Kosovës, ajo koha ka përfunduar në vitin 1999”, ka theksuar Tahiri.