Prestigjiozja “The Guardian”, ka publikuar të hënën një artikull për gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të cilët po akuzohen për krime lufte.
Në këtë artikull është thënë se gjyqi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve do ta rishkruajë historinë e luftës.
Në tekstin e publikuar nga mediumi britanik, Thaçi është vlerësuar si politikani më i shquar i Kosovës. Aty është treguar kronologjia e gjykimit të katërshes që nga arrestimi i tyre para më shumë se dy vjetësh, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte.
Më tej është thënë se ky gjyq pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet.
- Advertisement -
“Gjyqi, i cili u hap dy vjet pasi burrat u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do të rishkruajë historinë e konfliktit”, thuhet në artikull.
“The Guardian” e ka përmendur edhe raportin e Dick Martyt që është publikuar në vitin 2010, që pretendonte për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë trafikimin e organeve nga UÇK-ja, megjithatë thuhet se çështja ka vazhduar në gjyq me ritëm të ngadaltë, ndërsa pretendimet për vrasjen e viktimave dhe marrjen e organeve të tyre janë zhdukur nga procedurat.
Më 3 prill ka filluar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa nesër pritet të fillojë gjykimi me dëgjimin e dëshmitarëve.