Qeveria dhe as Bashkimi Evropian nuk u kanë dhënë përgjigje paqartësive rreth hapave që duhet të ndiqen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja për Asociacionin përcakton se një ekip menaxhues duhet të hartojë draftstatutin. Por, asnjëra palë nuk ka treguar nëse mbetet në fuqi përbërja e vjetër e ekipit.
Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë se e gjithë kjo situatë është e rrezikshme për Kosovën. Sipas tij, procedurat për hartimin e statutit do të duhej të ishin publike.
“Ka gjëra në dialog që duhet të mbahen të fshehta, sepse është taktikë negociatash, por procedura e hartimit të statutit s’është gjë sekrete dhe do të duhej të ishte publike. Secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet të dijë se kush janë ata persona që do ta përpilojnë këtë draft dhe çfarë ndodh me atë draft pastaj në negociata, si ecim tutje dhe si vijmë deri te fundi”, ka thënë Ymeri.
- Advertisement -
E ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka deklaruar se kushdo që e harton draftin e statutit, atë duhet ta bëjë në përputhje me Kushtetutën.
“Nuk e di se si do të emërohet ky grup që do të punojë, por roli i Qeverisë do të jetë që ta analizojë statutin dhe ta shfrytëzojë edhe ndihmën e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që ai të mos bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të jetë në pajtim me frymën e Kushtetutës, të mos bjerë ndesh me asnjë nen të saj”, ka thënë Ferati.
Sipas marrëveshjes, anëtarë të ekipit menaxhues duhet të jenë përfaqësues të deleguar nga secila prej katër komunave të veriut, të banuara kryesisht me serbë.
Një grup i tillë është formuar në kohën e ish-kryeministrit Isa Mustafa. Ai kryesohej nga Vinka Radosavljeviq, ndërsa anëtarë ishin Dejan Radojkoviq, Igor Kalamar dhe Svetislav Durleviq. Pjesë e tij ishin edhe zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal, të OSBE-së dhe BE-së.
Përbërja e tij është ndryshuar më vonë e kryeministri Albin Kurti ka kontestuar legjitimitetin e kësaj trupe duke thënë se në të është deputetja e Kuvendit të Serbisë, Danijela Vujiçiq.
- Advertisement -
Grupi menaxhues një draftstatut të Asociacionit e ka dorëzuar në Qeveri gjatë kohës sa ajo drejtohej nga Ramush Haradinaj. Por, për ekzistimin e tij nuk kanë folur në Qeveri dhe BE.
Draftstatuti i Asociacionit pritet të prezantohet në takimin e radhës që do ta kenë kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Visar Ymeri pret që diskutimi të mos jetë i lehtë.
- Advertisement -
“Unë mendoj që ky proces do të jetë i vështirë dhe ka gjasë të zgjasë shumë duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta që i kanë palët për sa i përket statutit dhe mënyrës se qysh do të funksionojë Asociacioni”, ka thënë ai.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar data e takimit, Kurti ka bërë të ditur se ai do të mbahet në fund të prillit.