Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet sot për të certifikuar listën e votuesve dhe për të diskutuar për qendrat e votimit për zgjedhjet në veri të Kosovës që do të mbahen më 23 prill.
Sipas afateve zyrtare të vendosura nga KQZ-ja, fushata zgjedhore ka filluar më 4 prill dhe do të përfundojë më 21 prill 2023.
Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë mbledhjen e radhës, ku në rend dite janë një numër çështjesh që kanë të bëjnë kryesisht me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe me zgjedhjet e parakohshme për dy kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq.
Lajmi është konfirmuar për Radio Kosovën nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim.
- Advertisement -
“Mbledhja e sotme e KQZ-së është e rregullt dhe sipas rendit të ditës së parapërgatitur, janë disa çështje që do të shqyrtohen dhe vendosen nga anëtarët e KQZ-së. Certifikimi i listës përfundimtare të votuesve; miratimi i dizajnit dhe numrit të fletëvotimeve që do të shtypen për këto zgjedhje; njoftim për rekomandimet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me qendrat e votimit në këto katër komuna”, tha Elezi.
Lista votuese e zgjedhjeve të kaluara të 18 dhjetorit 2022, të cilat ishin shtyrë, përmbante rreth 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.
Po sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje pritet të bëhet edhe një njoftim lidhur me fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 23 prillit në këto katër komuna.
Për këtë temë, një ditë më herët Radio Kosova ka njoftuar se fushata elektorale për kryetarë të komunave veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk po zhvillohet si zakonisht dhe se kësaj radhe ajo është mjaft e zbehtë.
Nga komunikimet me kandidatët për kryetarë, kuptohet se kandidatët e certifikuar për këto zgjedhje, kanë filluar aty-këtu ndonjë takim me qytetarët. Sipas afateve zyrtare të vendosura nga KQZ-ja, fushata zgjedhore ka filluar më 4 prill dhe do të përfundojë më 21 prill 2023.
- Advertisement -
Për zgjedhjet për kryetarë në këto katër komuna, KQZ-ja ka certifikuar 11 kandidatë, ndërsa në zgjedhjet për dy kuvendet komunale më shumë se 60 të tillë.