Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin austriak “Die Presse” ka komentuar pritjet e Kosovës në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, me theks te kërkesa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Osmani tha se Serbia nuk e ka qëllim që t’i avancojë të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, përmes Asociacionit, por se po tenton destabilizimin, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Serbia nuk dëshiron të avancohen të drejtat për serbët në Kosovë. Përkundrazi, ajo përdorë strukturat e saj ilegale në veri të Kosovës për t`i kërcënuar serbët që jetojnë atje. Ata thjesht duan ta bëjnë Kosovën jofunksionale si shtet, siç kanë bërë me Republikën Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Ata duan një Milorad Dodik të dytë (President i Republikës Srpska) në Kosovë”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja e shtetit tha se Kosova e ka një vijë të kuqe në raport me Asociacionin.
- Advertisement -
“Ne e kemi një vijë të kuqe: nuk duhet të ketë të drejta ekzekutive për një strukturë paralele administrative serbe. Por në të njëjtën kohë, natyrisht, ne do t`i zbatojmë të gjitha të drejtat dhe liritë e pakicave sipas standardeve evropiane”, tha ajo.