Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorët e Bullgarisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Hristo Gudjev dhe Angel Angelov.
Sipas njoftimit, i pari i ekzekutivit i falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, derisa i njoftoi për punën e qeverisë, rezultatet në sundimin e ligjit, përmirësimet në indikatorët demokratikë, dhe për progresin ekonomik, me theks te eksportet, që këtë vit për herë të parë pritet të kalojnë vlerën prej 1 miliard euro.
“Gjatë takimit, u bisedua për marrëdhëniet e afërta ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe për mundësitë e reja për thellimin e zgjerimin e tyre, sidomos në fushën e ekonomisë, shkëmbimit tregtar, atë të kulturës si dhe të mbrojtjes dhe sigurisë. Krahas zhvillimeve në rajon, u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për Marrëveshjen Bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të saj, sipas dakordimit të 18 marsit në Ohër, si dhe për takimin e djeshëm në Bruksel në nivel kryenegociatorësh, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet tutje në njoftim.
Ambasadorët Gudjev dhe Angelov shprehën gatishmërinë e tyre për rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes Bullgarisë dhe Kosovës si dhe dhanë mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.