Ekipi i Chelsea, më në fund ka gjetur një nga protagonistët e sezoneve të fundit. Bëhet fjalë për mesfushorin francez N’Golo Kante, i rikthyer në fushë të dielën e kaluar nga minuta e parë pas 8 muajsh i dëmtuar, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit të krah.
Ndeshja e fundit që e kishim parë Kante ishte 14 gushti i vitit të kaluar (ndaj Tottenham) dhe që nga ajo kohë te Chelsea kanë ndryshuar shumë gjëra. Në atë ndeshje dhe fillim-sezoni, në stolin e skuadrës angleze ishte trajner Tomas Tushel, i shkarkuar para dy muajsh.
Ndërsa ditën e diel (në humbjen ndaj Aston Villes), në rikthimin e tij në fushë pas 8 muajsh, në stol ishte një tjetër trajner, Graham Poter. Edhe ky i fundit u largua ditën e hënë nga detyra dhe aktualisht, në stolin e “bluve” të Londrës është Bruno Saltor. Pikërisht me Saltor në stol, Kante luajti ndeshjen e tij të tretë këtë sezon. Pra, në tri ndeshje të luajtura deri më tani këtë sezon, Kante ka patur 3 trajnerë të ndryshëm. Dhe ka gjasa të dielën të ketë një trajner të katërt në stol në ndeshjen e katërt me Chelsean, në rast se klubi sjell një drejtues të ri (përflitet Luis Enrike ose Frank Lampard, si trajner provizor).