Aleksander Çeferin është rizgjedhur edhe zyrtarisht president i UEFA-s, për të shkuar drejt mandatit të tij të tretë. Kongresi i 47-të i UEFA-s, ka rizgjedhur unanimisht Çeferin si numër një të UEFA-s, për periudhën 2023–2027. Aleksandar Çeferin, i cili ishte i vetmi kandidat, falënderoi delegatët për mbështetjen e tyre, por nuk anashkaloi që të prononcohet sërish në temën e Superligës Evropiane.
“Është një nder i madh, por kryesisht është një përgjegjësi e madhe ndaj futbollit. Do të bëj çmos që të mos zhgënjej. Nuk ka kuptim t’i referohemi kësaj tentative nga dy financierë dhe një zëdhënës. Ata thonë se duan të shpëtojnë futbollin. E vërteta është se Superliga dhe drejtuesit e saj janë personazhe të Kësulëkuqes, të përgatitur për të ngrënë gjyshen. Për fat, askush nuk vdiq me të, ”tha mes tjerash presidenti i UEFA-s.
55-vjeçari slloven ka shërbyer si presidenti i shtatë i UEFA-s që nga viti 2016, kur ai zëvendësoi ish-legjendën franceze, Mishel Platini. Ai u rizgjodh më pas në vitin 2019 dhe tani do të jetë presidenti deri në vitin 2027, duke shkuar drejt përfundimit të mandatit të tretë.