Ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ndihet i njollosur me aktakuzën e Gjykatës Speciale për krime lufte. Në fjalimin e tij para gjykatësve ai e ka cilësuar absurde akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ka thënë se vetë ka qenë pjesë e kësaj partie.
“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtareve të LDK-së, unë vetë isha anëtar i LDK-së, familjarët e mi ishin anëtarë të LDK-së e bashkëluftëtarët e mi. Vetëm një mendje e çoroditur mund t’i ketë lindur ideja se unë kam mundur të jem pjesë e persekutimit tim, të familjarëve të mi dhe bashkëluftëtarëve të mi”, tha Krasniqi.
Ai tha se nga këto akuza ndihet më i lënduar se kur ishte në burgjet e Serbisë.
“Nëse në rrugëtimin tim ka diçka që nuk ka logjikë, është aktakuza e ngritur nga ZPS-ja. Përmbajtja e aktakuzës më ka lënduar më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb e jugosllav”.
- Advertisement -
Ka thënë se roli i tij si zëdhënës i UÇK-së ishte që ta paraqesë atë si një strukturë mirë të organizuar dhe kjo duhet parë si propagandë e asaj kohe.
Edhe mbrojtja e Krasniqit ka mohuar të gjitha akuzat e pretenduara nga prokuroria dy ditë më parë duke thënë se po të ishte UÇK-ja strukturë e organizuar kriminale atëherë NATO ja nuk do ta përkrahte.
“Atëherë i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje të njohur kriminale. Krasniqi nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Ai nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar”, tha avokatja e tij.
Një ditë më parë pretendimet e prokurorisë i kanë hedhur poshtë edhe tre të akuzuarit tjerë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vrasje, tortura dhe zhdukje me forcë.