Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi ka takuar sot shefin e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimin.
Varhelyi ka bërë të ditur se me Bislimin kanë diskutuar agjendën e reformave të BE-së dhe detyrat që kanë përpara.
“Nisja e ditës me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi duke diskutuar agjendën e reformave të BE-së dhe detyrat që kemi përpara dhe se si Komisioni do të jetë në gjendje të ndihmojë në zbatimin e rezultateve kur dialogu Prishtinë-Beograd të jetë i suksesshëm”, ka shkruar ai në Twitter.
Kosova dhe Serbia sot do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, i pari që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Sot do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe. Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.