Po mbahet sot seanca e radhës gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, ka kundërshtuar akuzat, ndërsa ka theksuar se nuk kishte aspak motiv që Thaçi, të bënte krime dhe se faktet duhet të vendosen në kontekst.
“UÇK nuk ka qenë e përfshirë në aktivitete terroriste”, u shpreh mbrojtja. Më tej ka theksuar se krimet më të rënda janë kryer nga forcat serbe.
“Thaçi e dinte se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së. Ai kishte motivimin për të mos u angazhuar në ndërmarrje të përbashkët kriminale”, shtoi ai.
- Advertisement -
Kujtojmë se një ditë më parë, të hënën, u dëgjuan Zyra e Prokurorit të Specializuar, ndërsa sot do të mbajë fjalën, secili nga ekipet e mbrojtjes.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
Kujtojmë se ditën e djeshme qytetarë të shumtë protestuan para Gjykatës Speciale në Hagë, pasi nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qytetarët dolën me pankarta të ndryshme, ku përmes tyre kërkonin lirinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Mos ma gjyko lirinë”, “Marshojmë për UÇK-në”, “UÇK, NATO”, “Kosova viktimë, Serbia agresore”, ishin disa nga pankartat e protestuesve.