Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Departamenti amerikan i Shtetit e ka garantuar se nuk “mund të formohet kurrfarë Asociacioni [i komunave me shumicë serbe] apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Kështu tha ai pas takimit që pati me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Konjufca shkroi në Facebook se në takim me Escobarin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe në rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
- Advertisement -
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është lidhur me përparimin e të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane.
Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Më 31 janar të këtij viti, pas një diskutimi të mbyllur për Asociacionin, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte deklaruar se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.
- Advertisement -
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar në dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Por, kjo gjykat ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.