Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, derisa foli për refuzimin që Gjykata Kushtetuese ia bëri Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka thënë se Kushtetuesja po i pengon reformat në drejtësi.
Sipas Haxhiut, vlerësimi i Kushtetueses për të mos u bindur në raport me këtë ligj është veprim politik, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Venecia e ka arsyetuar ndërprerjen e mandatave për shkak se kësisoj mund të mbërrihet reforma në drejtësi dhe për këtë qëllim mund të ndërpritet. Gjykata Kushtetuese thotë unë nuk bindem. Si ka mundësi që Gjykata me u lëshu në vlerësime të tilla politike, se a bindet apo nuk bindet”, ka thënë ajo në RTV Dukagjini.
Për këtë projektligj, Haxhiu ka thënë se kanë qenë 3 drafte që janë përgatitur nga këshilltarët e Gjykatës Kushtetuese.
- Advertisement -
“Njëri draft që thotë që s’ka probleme me Kushtetutën ky ligj, i dyti thotë që vetë çështja e mandateve përfaqësimi i avokatit të popullit është problem dhe i treti deri sa kanë arritur në një opinion që këta e kanë dashur, kanë insistuar që ta kenë atë, pastaj e kanë nxjerrë një vendim të tillë”, shtoi ajo.
“Ne kemi vlerësuar që mund të qëndrojë ai ndryshim që e kemi bërë, problemi i vetëm qëndron me mënyrën se si e ka justifikuar çështjen e lejimit të mandatit deri më 2023”.
Të premtën, Gjykata pranoi kërkesat e të dy partive opozitare, dhe deklaroi se janë bërë disa shkelje të Kushtetutës në hartim të këtij ligji.
Në një komunikatë për media, Kushtetuesja ka bërë me dije se është konstatuar që pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe nenit 8 nuk janë në përputhje me Kushtetutën, konkretisht, me paragrafin 1 ku flitet për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushteteve.