Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shtëpinë-muze të familjes Qerkezi në Gjakovë, ku u prit nga Ferdonije Qerkezi.
Ai deklaroi se dhimbja e Qerkezit e ka mbajtur gjallë një komb të tërë dhe ka ngritur solidariteti. Sipas kryeministrit, duhet pasur parasysh hapjen e arkivave serbe, pasi siç tha ai, vrasja dhe zhdukjet e luftës ishin pjesë e projektit serbomadh.
‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, u shpreh ai.
Ndërsa në librin e kujtimeve Kurti shkroi se Ferdonije Qerkezi është nëna e të gjithë shqiptarëve.
- Advertisement -
“Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili”.