Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar gjatë ditës së sotme në Podujevë me rastin e 33-vjetorit të themelimit të partisë, shkruan Syri.net Kosova.
Nga Llapi ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se përgjegjësi e popullistëve që Kosova në momentin më të favorshëm të saj, humbi momentumin historik për marrëveshje finale e me njohje në qendër të saj.
“Në vend të kësaj, popullistët na dhanë një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të. Mashtruan gjatë, zhbënë secilin qëndrim dhe përfunduan në rezultat edhe më të rëndë se secila gjendje paraprakisht. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë tani, është e pariparueshme më”, tha Abdixhiku.
Duke ju referuar Qeverisë ai tha se shteti është vënë para zgjedhjeve të vështira, si rezultat i politikës së pamatur.
- Advertisement -
“Shteti i Kosovës sot është vënë para zgjedhjeve të vështira, si rezultat i politikës së pamatur të Qeverisë së Kosovës. Për shkak të refuzimit të koordinimit me kohë, për shkak të mosprioretizimit të dialogut si interes nacional, për shkak të moskuptimit të rrethanave politike në kontinent e më gjerë, dhe për shkak të rënies në grackën e Serbisë rreth destabilitetit në veri të vendit, Kosova ka humbur një mundësi të madhe historike; atë të arritjes së një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme dhe me njohjen në qendër në të”, tha ai në Podujevë.