I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe konferencës së përbashkët për media, ka vazhduar takimet sipas agjendës së paraparë.
Ai është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Megjithatë, pas këtij takimi, nuk është paraparë të bëhet ndonjë deklarim, përveç lëshimit të ndonjë komunikate për media nga Zyra e Kryeparlamentarit të Kosovës.
Pas Konjufcës, diplomati amerikan në orën 11:15 minuta, ka hyrë në takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku gjithashtu nuk është paraparë ndonjë deklarim për media.
- Advertisement -
Escobar po qëndron në Kosovë, pas vizitës që pati në Serbi, ku u takua me presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.
Këto takime po zhvillohen vetëm një ditë para mbajtjes së takimit në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Atje pritet edhe nënshkrimi i planit të zbatimit të propozim marrëveshjes së ofruar nga BE-ja, për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.