Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku në konferencën e sotme për media foli për çështjen e rifillimit të punimeve për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, si dhe për licencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Punimet për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë ishin parashikuar të fillojnë me përfundimin e pandemisë Covid-19, por që nuk kanë filluar për shkak të problemit të shpronësimit të pronave.
Çeku zbuloi se çështja e projektit të rinovimit të stadiumit “Adem Jashari” është në fazën e fundit të rregullimit të çështjes së shpronësimit, dhe u shpreh i bindur se kjo çështje do të përmbyllet së shpejti.
Ndërkaq, ndër temat më të përfolura së fundmi ka qenë edhe licencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për të cilin ministri Çeku tregoi se kjo gjë nuk e rrezikon Kosovën të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.
- Advertisement -
Po ashtu, Çeku tregoi se FFK-së i duhet ende punë për tu licencuar, ku duhet ta përmbushë kriterin e licencimit të klubeve, gjë për të cilin Çeku e ftoi FFK-në dhe klubet që ta përshpejtojë procesin e dorëzimit të aplikacioneve.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ende nuk është licencuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).