Sot shënohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në Kosovë për nder të kësaj dite janë paraparë të zhvillohen disa aktivitete.
Me rastin e kësaj dite kolektivi “Marshojmë, s’festojmë” do të organizojë një protestë. Marshi nis nga Pallati i Drejtësisë dhe pas grumbullimit në sheshin “Zahir Pajaziti” vazhdohet deri te Qeveria e Kosovës.
Për të shënuar këtë ditë Universiteti i Prishtinës organizon konferencën “Gratë – Paqja – Siguria”, ndërsa një konferencë do ta mbajnë edhe anëtaret e Bordit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.
Një diskutim me rastin e 8 Marsit do ta organizojë edhe Agjencia për Barazi Gjinore, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
- Advertisement -
Për ndër të kësaj dite Komuna e Prishtinës organizon hapjen e Qendrës “Klasat për nëna” dhe lansimin e programit “Kujdesi në Grup në 1000 ditët e para” ndërsa Kuvendi i Komunës së Prishtinës mban seancë solemne. Komuna e Prishtinës gjithashtu organizon aktivitetin “Super Çikat”
Ndërkaq Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me STIKK, organizon takim me kompani të suksesshme të udhëhequra nga gratë në TIK e një aktivitet, me rastin e kësaj dite, në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, do ta organizojë edhe ambasada e Francës në Kosovë.
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan do të bëhet zbulimi i shtatores Heroina e Qytetit.
Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në New York. Por përfundimisht, 8 marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante.
Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.