Një therje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e 2 marsit në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, ku dy qytetarë të nacionalitetit serbë kanë mbetur të plagosur, dhe të dy ndodhen në Qendrën Spitalore në veri, njëri në gjendje më të rëndë.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti. Ai tha se dorasi ka ikur, por që sipas tij, PK-ja ka informacione për të dhe tashmë është në proces të kërkimit të tij.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili shkroi në rrjetin social Facebook se për këtë është njoftuar nga Policia, tha se “njësitet relevante policore tashmë kanë dyshime të bazuara mbi dorasin e këtij akti, i nacionalitetit serb, është pjesëtar i strukturave paralele kriminale të Serbisë”.