Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk i ka qëndruar pas as dy ditë dakordimit për të cilin Joseph Borrell tha se ai dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur për përmbajtjen e Planit evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Ndonëse neni katër i Planit përcakton se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, Vuçiqi ka deklaruar se ai nuk do ta lejojë anëtarësimin në OKB.
“Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thuhet në propozim.
“Çështjet kyç që kanë të bëjnë me Kushtetutën, shtetin e Serbisë, siç e kam thënë pa mëdyshje në çdo vend, nuk flitet për njohje, as për Kosovën në OKB. Prandaj as që kam nënshkruar asgjë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë një plan zbatimi, një udhërrëfyes. Le të biem dakord për atë që po zbatojmë. Unë nuk do ta zbatoj njohjen e Kosovës, as anëtarësimin në OKB. Ne po punojnë rreth një plani për zbatim. Prandaj Lajçaku do të vijë në Beograd dhe Prishtinë. Kur të vijë do të bëjmë diçka që jam gati të flas për gjithçka, por nuk do ta nënshkruaj dhe këtë e kam thënë pafundësisht”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
- Advertisement -
Duke iu referuar deklaratës së Vuçiqit, kryeministri Kurti ka thënë se ai e shkeli Planin e BE-së.
“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të nenit 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, ka thënë Kurti.