Shumë punëtorë të sektorit publik janë të pakënaqur me pagat e ekzekutuara dje në bazë të koeficientit 105 euro. Disa sindikata janë ende duke pranuar ankesa nga anëtarësia derisa thonë se në ditët në vazhdim do të vendosin për metodën e reagimit. Në zyrën e Avokatit të Popullit deri më tani kanë arritur 40 ankesa, për këtë çështje.
Shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë shprehur të pakënaqur me pagat e ekzekutuara në bazë të koeficientit 105 euro. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë se zhgënjimet lidhen edhe me heqjen e shtesës së rrezikshmërisë që deri më tani ka ekzistuar për policët në uniformë.
“Shumica prej tyre janë të zhgënjyer me atë çka kanë pranuar për arsye se te pjesa e uniformuar e policisë –pagat kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë, e që unë mendoj, se policët pa rrezikshmëri nuk e di a ka ndonjë vend në botë që është kështu (ne këtë shtesën e rrezikshmërisë deri më tani e kemi pranuar). Dhe, pjesa e stafit civil – një pjesë shumë e madhe nuk kanë ngritje të pagës, deri më tani pakënaqësitë janë të mëdha”, tha Zeqiri për Radio Kosovën.
Të pakënaqur me pagat e ekzekutuara mbrëmë janë shprehur edhe punëtorët shëndetësorë. Kryetari i Sindikatës së Qendrës Terciare, Xhemajl Selmani, thotë se stafi i mesëm dhe ai mbështetës, me koeficientin e caktuar së fundmi, kanë rreth 100 euro më pak.
- Advertisement -
“Pakënaqësia ekziston sidomos te infermierët por edhe te stafi mbështetës, sepse ata janë 100 euro mangët në raport me pagat që kanë marrë më përpara, ndërsa infermierëve kur u janë hequr shtesat ka mbetur paga aq sa ka qenë, ndërsa për sa i përket stafit të mjekëve është një rritje e ndjeshme”, tha ai për Radio Kosovës.
Selmani thotë se për stafin e ortoprotetikës tashmë kanë marrë vendim që çështjen ta adresojnë te Avokati i Popullit. Sindikata e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, ditët e ardhshme do të mbajë mbledhjen e këshillit drejtues ku do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm të reagimit.
Ndryshe, Zyra e Avokatit të Popullit, përmes zëdhënësit Petrit Çollaku, ka njoftuar se deri sot në mesditë kanë pranuar 40 ankesa për këtë çështje.