Dje në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, zhvilloi takimin e gjashtë të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut.
Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media ka dhenë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësit.
“Marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre. Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e dërguar nga zyra e kryeministrit të Kosovës.