Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për vizitën e delegacionit të Luginës së Preshevës në Washington.
Përmes këtij vendimi Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për përkrahje financiare në vlerë 39 mijë e 470 dollarë amerikan.
Në njoftimin e Zyrës për Media të Qeverisë së Kosovës s’është specifikuar nëse këto mjete janë ndarë për vizitën që përfaqësuesit e Luginës kanë pasur në Washington kohë më parë apo nëse do ta realizojnë ndonjë tjetër.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e radhës, kësaj here në formë elektronike, në të cilën ka miratuar ndarjen e mjeteve financiare për vizitën e delegacionit të Luginës së Preshevës në Uashington D C.Me këtë vendim, Qeveria ka aprovuar kërkesën e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për mbështetje financiare në vlerën prej 39,470.21 dollarë amerikan”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.