Në shënimin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë, krerët e shtetit të Kosovës kanë pritur gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.
Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani e ka dhënë edhe njëherë përkrahjen e Kosovës për Ukrainën e pushtuar nga Rusia, duke theksuar se duhet punuar ngushtë me aleatët ndërkombëtarë në uljen e ndikimit të autokratëve në rritje.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Osmani tha se si asnjëherë më parë bota po përballet me tendencat hegjemoniste të autokratëve në pjesë të ndryshme.
“Lufta e paprovokuar në Ukrainë tregon për rrezikun nga regjime autoritare si ai i Putinit që kërkon zgjerimin e fuqisë, ndikimit dhe territorit duke cenuar të drejtat dhe sovranitetin e kombeve të tjera, e duke kryer krime të llahtarshme për t’i arritur këto qëllime”, tha Osmani.
- Advertisement -
Në anën tjetër kryeministri i vendit, Albin Kurti me këtë rast tha se Kosovë mbështet Ukrainën në luftën e saj deri në fitore. Në një ditë të zymtë si kjo, tha Kurti, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas.
“Do të jemi pranë jush si popull si institucione, si dje si sot si nesër. Mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, tha numri një i Qeverisë së Kosovës.
Ai tha se Kosova i di mirë pasojat e luftës dhe prandaj do të mbështes e solidarizohet me Ukrainën në të gjitha format deri në fitoren e saj kundër agresionit ruse.
“Kosova i di mirë pasojat e luftës e edhe pasojat që vijnë dekadat e ardhshme pas mbarimit të saj, por Kosova është e lumtur që është shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë përpos si strehë do të jemi pran jush si popull, shoqëri e institucione – dje, sot dhe nesër. Rezistencë, solidaritet dhe mbështetje deri në fitore”, tha Kurti.
Ai tha se Republika e Kosovës e kishte dënuar dhe vazhdon ta dënojë agresionin rus në Ukrainë duke vendosur menjëherë sanksione e po ashtu Kurti tha se kanë shprehë gatishmërinë për të strehuar deri 5000 refugjatë ukrainas.
- Advertisement -
Kurti, në njëvjetorin e fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, tha se ky agresion është sulm mbi lirinë dhe demokracinë.
“Në mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit të vitit të kaluar pasi kishte grumbulluar mbi 200 mijë trupa afër kufirit, Federata Ruse filloi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, ky sulm është mbi lirinë dhe demokracinë dhe mbi vlerat tona themelore. Lufta e Rusisë në Ukrainë ishte shokuese por jo befasuese pasi erdhi si shkak i tolerimit të manovrave ushtarake të një presidenti despotik”, tha Kurti.