Sergio Ramos nuk u grumbullua nga Luis Enrique në Kupën e Botës 2022, vendim që krijoi shumë polemika në Spanjë por edhe me largimin e trajnerit katalanas nga stoli, duket se qendërmbrojtësi nuk mund të gjente më hapësira në formacion bazë. Në këtë mënyrë, ai mori vendimin e dhimbshëm për t’u larguar zyrtarisht nga Kombëtarja e Spanjës me të cilën u shpall kampion bote në vitin 2010. Ishte trajneri i ri, De la Fuente, ai që e kontaktoi personalisht për t’i bërë me dije se nuk ishte në planet e tij për të ardhmen, duke mos u lënë numrit 4 asnjë alternativë tjetër.
“Do të doja ta kisha marrë këtë vendim i vetëm dhe i pandikuar nga të tjerët. Largohem nga Kombëtarja me një shije të hidhur në gojë por me krenari të pafund”, deklaron Ramos në një mesazh të gjatë në rrjetet sociale.
Qendërmbrojtësi i Sevilla-s, Realit dhe PSG e mori shiritin e kapitenit të Spanjës në vitin 2016 pasi e la Iker Casillas por që prej asaj kohe, ai pati vështirësi me fanellën e “La Furia Roja” e kjo u reflektua edhe në dështimet e njëpasnjëshme në Kupën e Botës Rusi 2018 dhe Euro 2020. Ishte Luis Aragones ai që i besoi një vend titullari në Botërorin e 2006-ës, ndërsa 4 vite më pas në Afrikën e Jugut, Sergio Ramos do të ishte një nga protagonistët e triumfit iberik.