Shtetet e Bashkuara njoftuan se mbështesin fuqishëm propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimit në një frymë konstruktive, e cila është e nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”, thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit në prag të raundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të zhvillohet të hënën në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raportoi më herët i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, përveç deklaratës zyrtare të pranimit, duhet të shqyrtojnë edhe detajet e zbatimit të propozimit evropian. Departamenti i Shtetit se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të përdorin bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.