Kryeministri Albin Kurti ia ka konfirmuar këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gatishmërinë për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mbi bazën e planit franko-gjerman për dialogun.
Konfirmimi u bë nga Zyra e kryeministrit, një ditë pasi që Chollet e mirëpriti pranimin e këtij plani nga ana e Kosovës. Ai e ka interpretuar veprim si me përfitime për të dyja palët e përfshira në dialog.
“Kryeministri Kurti konfirmoi gatishmërinë e tij për takime të radhës të nivelit të lartë politik dhe shprehu pajtimin e tij për nevojën për intensifikim të procesit të dialogut. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në dialog, sepse dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore dhe integrim në BE dhe NATO”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Pranimi i planit ka gjeneruar sinjale të mbështetjes ndërkombëtare për Qeverinë, porse jo edhe nga të gjitha subjektet opozitare në Kosovë.
- Advertisement -
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se me gjithë kritikat e shumta për Ekzekutivin, në rrafshin e bisedimeve me Serbinë nuk duhet të kursehet mbështetja për Qeverinë.
“Kursi publik dhe politik i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe është tepër e rëndësishme që secili prej nesh, a është në pozitë, opozitë apo në shoqërinë civile, ta perceptojë rëndësinë që është tani arritja e marrëveshjes, duke parë angazhimin e SHBA-së dhe miqve tanë”, ka thënë Besnik Tahiri nga kjo parti.