Ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën më shumë të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura, por shpresat për gjetjen e më shumë të gjallëve kanë filluar të zbehen më shumë se tre ditë pas një tërmeti shkatërrimtar që goditi Turqinë dhe Sirinë, duke vrarë më shumë se 16 mijë veta.
Ekipet e emergjencave që punuan gjatë natës në qytetin e Antakias arritën të shpëtojnë një vajzë të re nga rrënojat e një ndërtese dhe dy orë më vonë shpëtuan të atin e saj, raportoi agjencia e lajmeve IHA.
Në Dijarbakir, në lindje të Antakias, shpëtimtarët nxorën një grua të plagosur nga një ndërtesë e shembur në orët e hershme të mëngjesit, por pranë saj gjetën trupat e tre personave të vdekur, raportoi agjencia e lajmeve DHA.
Përveç 12 mijë e 873 njerëzve të vdekur në Turqi, agjencia e menaxhimit të fatkeqësive tha se më shumë se 60 mijë veta janë plagosur. Në Siri janë raportuar 3 mijë e 162 të vdekur.