Trajneri legjendar kroat, Miroslav “Çiro” Bllazheviq ndërroi jetë sot në moshën 87 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.
Bllazheviq ishte një figurë tejet e dashur për futbollin Kosovar, pasi që gjatë karrierës së tij kishte drejtuar edhe skuadrën e Prishtinës në edicionin 1985/86 në ish-ligën federative të ish-Jugosllavisë.
Klubi i Prishtinës ka reaguar pas vdekjes së Blazevic përmes një statusi në “Facebook”, në të cilin i jep lamtumirën e fundit legjendës kroate.
“Ai erdhi te Prishtina si shpëtimtar dhe si i tillë u largua derisa e drejtoi gjeneratën e artë të Prishtinës. Blazheviq e udhëhoqi me shumë pasion e dashuri Prishtinën në vitet e vështira të popullit tonë nën okupim duke u dhënë zemër e bashkuar të gjithë shqiptarët përreth klubit dhe stadiumit të qytetit”, ka shkruar Prishtina në “Facebook”.
- Advertisement -
“Emri i tij tashmë është shkruar më shkronja të arta në klubin tonë. Blazheviq në karrierën e tij ka drejtuar me shumë sukses edhe Kombëtaren e Kroacisë në Kupën e Botës në vitin 1998 ku e zuri vendin e tretë. Në vitin 1982, Blazheviq i solli Dinamos titullin e kampionit të Jugosllavisë pas 24 vitesh pritje. Si trajner ka punuar edhe në Zvicër, Francë, Greqi, Slloveni, Bosnje e Hercegovinë, Kinë e Iran”, ka shkruar më tej në njoftimin e Prishtinës.