Krasniqi ka thënë se Kryeministri Kurti e pranoi këtë propozim pa treguar asnjëherë për qytetarët se çka përmban ai propozim
“Kryeministri Kurti sot deklaroi se e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman, pa shpjeguar asnjëherë për qytetarët e Republikës së Kosovës se çka përmban ai propozim. Kështu, ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë. Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë? PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presim nga marrëveshja potenciale me Serbinë. Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”.