Organizatat joqeveritare serbe (OJQ) sot kërkuan nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë që të pranojnë propozimet që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me vlerësimin se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është “një mundësi historike që autoritetet dhe qytetarët e Serbisë ta pranojnë realitetin”.
Këto organizata, në një deklaratë të përbashkët të cilën e ka përcjellur Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR), vlerësuan se kjo është një mundësi për të hedhur themelet për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, që do të ndryshonte përgjithmonë perspektivën e të gjithë Ballkanit.