Emmanuel Macron u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, por shtoi se duhen përmbushur disa kushte para se të merrej një vendim i tillë.
Franca i ka dhënë Ukrainës sisteme të mbrojtjes ajrore, njësi raketahedhëse, topa dhe pajisje të tjera ushtarake dhe është zotuar të dërgojë automjete të blinduara, por nuk ka ofruar tanke ose armatime më të rënda.
I pyetur nga gazetaret në një konferencë shtypi nëse Franca po shqyrton mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë, zoti Macron tha se “asgjë nuk përjashtohet” për sa kohë që plotësohen disa kushte.
Në mesin e këtyre kushteve janë edhe garancitë se dërgimi i avionëve nuk do të çonte në një përshkallëzim të tensioneve, se ata nuk do të “preknin territorin rus” dhe se dërgimi i tyre nuk do të “dobësonte kapacitetet e ushtrisë franceze”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.
- Advertisement -
Ai tha gjithashtu se Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët. Ai vuri në dukje se do të takohet të martën në Paris me ministrin ukrainas të Mbrojtjes Oleksii Reznikov.