Elena Kadare, në një videomesazh në emisionin “Kjo Javë” në New24, ka folur në lidhje me jetën e saj me shkrimtarin e madh në ditëlindjen e tij të 87-të.
Ajo ka treguar se si është njohur e më pas dashuruar me shkrimtarin, ndërsa ka rrëfyer edhe detaje nga jeta e tyre e përditshme.
Elena Kadare nuk ka harruar të shtojë se pas vitesh që kanë jetuar ashtë vendit, ardhja në Shqipëri u ka zbukuruar jetën.
“Jashtë janë dashamirës, por dashuria gjendet vetëm këtu”, tha ajo.
- Advertisement -
“Ngjarje të tilla si ditëlindja përfshijnë shumë njerëz sepse nis me telefonin tim që mbushet me urime, sa jam vërtetë e lumtur se duhet t’ia lexoj Ismailit i cili nuk merret fare me telefonin.
Ardhja në Shqipëri na e ka zbukuruar jetën.
Jashtë janë dashamirës, por dashura është vetëm këtu.
Raporti mes nesh është diçka tjetër, jo thjeshtë burrë-grua. Ka qenë një jetë plot dritë.
Dashuria nuk është të parit e njëri tjetrit në sy por të parit e të dyve në një drejtim.
Janë shumë arsye bashkë që na bëri të jemi bashkë kaq vite, sidomos dashuria për letërsinë. Asnjë ditë jona nuk është e ngjashme me atë që kaloi apo me atë që do vijë.
Letra ka qenë arsyeja se si u njohëm. Brezi e klasa ime e adhuronim Ismailin. Një pjesë e reagimeve që shkruaja në gjimnaz botohej në shtypin e ditës. Ismaili që ishte në Moskë e kishte lexuar një tregim timin më shkroi një letër përgëzimi. kjo ishte një ngjarje e madhe për gjithë shkollën time. Më pas vijuam korrespondencën.
Tani lëmë vetëm pak pusulla nëpër shtëpi, kur do kthemi apo kur nis filmi që do të ndjekim. Nuk ka më letra të tilla sepse jetojmë bashkë dhe nuk ka më kuptim”, u shpreh ajo.