Sqarim për komunitetin e futbollit dhe opinionin e gjerë, lidhur me shkresat e llojllojshme të cilat kanë qarkulluar në media dhe një nga ato shkresa nga Komisioni i licencimit të MKRS-së, gjoja se Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e ka të ndaluar ushtrimin e detyrës për arsye të shkeljes së Kodit Disiplinor të FIFA-s.
FIFA me një shkresë zyrtare sqaron dhe interpreton kodin disiplinor të saj, konkretisht nenin të cilit i është referuar ky komision i MKRS-së. Letra nga FIFA konfirmon që Presidenti i FFK-së, Agim Ademi nuk është në asnjë procedure disiplinore dhe nuk ka asnjë vendim disiplinor për ndonjë shkelje eventuale të kodit disiplinor të FIFA-s. Po ashtu, kjo shkresë sqaron interpretimin e nenit 71 pika 3 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe që i përgjigjet interpretimit të gabuar të Komisionit të licencimit të MKRS-së.
Tutje, rikujtojmë që organi i vetëm i thirrur për të interpretuar Kodin Disiplinor të FIFA-s është organi përgjegjës në kuadër të FIFA-s.
Shpresojmë që në të ardhmen lidershipi i MKRS-së nuk do të lejojë që nga institucioni i tyre të dalin shkresa zyrtare të cilat bëjnë interpretime të gabuara për të cilat nuk janë të thirrur dhe nuk kanë mandat të bëjnë një gjë të tillë.
- Advertisement -
FFK si gjithmonë do të respektojë rregullativat e FIFA-s, UEFA-s dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe do të mbrojë interesin e futbollit dhe pavarësisë së organizatës.