Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prirë nga gjeneralmajor Benjamin J.Correl, komandant i Gardës Kombëtare të IOWA-s, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes.
Presidentja ka falënderuar gjeneralmajorin Correl për gjithë angazhimin e tij në fushën e bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të IOWA-s, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Presidentja Osmani, tha se Programi i Bashkëpunimit në fushën e Sigurisë i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, të kryesuar nga Byroja e Gardës Kombëtare, respektivisht Partneriteti shtetëror me IOWA-n, është thelbësor për marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kontekst, ajo ka çmuar angazhimin e deritashëm të gjeneralmajorit Correl, duke shfaqur shpresën se marrëdhëniet në fushën e sigurisë ndërmjet të dy shteteve vetëm sa do të thellohen në të ardhmen.