Kjo erdhi pasi Kuvendi nuk e miratoi kërkesën e grupimit Berisha për mocion me debat me kryeministrin Edi Ramën për çështjen McGonigal.
Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga tensione të mëdha mes një grupi deputetësh demokratë, kryetares së Kuvendit dhe maxhorancës këtë të enjte.
Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikollës, 16 deputetët demokratë kërkuan ndryshim rendi të ditës në Kuvend.
Sipas grupimit Berisha, në padinë e ngritur ndaj McGonigal pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias renditen një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri.
- Advertisement -
Nga ana tjetër, Rama është shprehur se nuk asnjë padi ndaj tij dhe se drejtësia amerikane s’mund të kontestohet nga vetëgjyqësia e Foltores apo vulës. Sipas kreut të qeverisë, opozita po e përdor për interesa të saj.
Arrestimi i ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju-Jork, Charles McGonigal ka shkaktuar një furtunë në mediat amerikane por jo vetëm.
Dy ditë më parë u bë e ditur se në Neë York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.