Kryeministri Edi Rama mohoi kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.
Duke folur me gazetarët pas një takimi pune në selinë e Partisë socialiste, zoti Rama deklaroi se “në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përveç faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në New York”.
Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.