Klubi futbollistik “FC Prishtina” përmes kësaj komunikate njofton se nuk do ta votojë draft-statutin e propozuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Klubi jonë ka arsye të shumta për mos ta votuar këtë draft-statut, të cilat mund t’i lexoni si më poshtë:
Mangësitë e shumta dhe futja e neneve në këtë draft-statut, kryekëput për të mbajtur në funksion zyrtarët aktual të FFK-së duke përjashtuar mundësinë e çfarëdo ndryshimi në struktura udhëheqëse të FFK-së për afate tejet të gjata. Pjesa më e madhe e komenteve janë shpërndarë nga klubet tjera dhe nuk dëshirojmë t’i përsërisim.
I gjithë procesi i përgatitjes dhe draftimit është karakterizuar me parregullsi, mungesë transparence, si dhe mungesë të konsultimeve me klube. Ne fakt, është krejt e paqartë kush e ka draftuar këtë statut dhe kush e ka caktuar “grupin e punës”, i cili e ka përgatitur këtë draft duke mos konsultuar për asnjë moment përfaqësuesit e klubeve e në këtë rast edhe FC Prishtinën.
- Advertisement -
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, njërën nga arsyet për mos licencim të FFK-së i përmend parregullsitë në organizimin e Kuvendit te kaluar të Federatës. Në vend të përmirësimit të gabimeve të së kaluarës, FFK vazhdon me organizim të një Kuvendi tjetër, duke vazhduar me parregullsi sikurse në të kaluarën. Kjo na bën me dije se gjasat për tejkalim të situatës dhe licencimit te FFK nga ana MKRS janë minimale, për të mos thënë nuk ekzistojnë.
Në fakt, FC Prishtina konsideron se ky statut është problemi më i vogël me të cilin është duke u ballafaquar futbolli kosovar aktualisht. Mos-licencimi i FFK-së ka sjellë si pasojë pamundësinë e realizimit të së drejtës për përfitim nga ligji për sponsorizim që është impakti me pozitiv në futbollin kosovar që nga ndërkombëtarizimi i futbollit tonë në UEFA dhe FIFA.
Komitetit Ekzekutiv i FFK në vend së të ndërmarrë hapa urgjent për të zgjidhur këtë situatë në mënyrë që të evitojë bankrotimin total të klubeve tona, merret me përpjekje për kontrabandim të një statuti, i cili në mendjen e tyre u siguron funksione të përjetshme, përfitime materiale të pafundme e shumë pak punë siç kanë bërë deri më tash.
Si përfundim, FC Prishtina asnjëherë nuk do të përligjë me votën e saj shkatërrimin që është duke ju bërë këtij sektori nga ana FFK-së, e cila është federata e vetme në botë, e cila e fokuson energjinë në luftimin e klubeve të cilat i përfaqëson. FC Prishtina nuk do të pajtohet asnjëherë që të tregtojë ardhmërinë e gjeneratave të fëmijëve tanë, për të mbajtur në funksion njerëz që vizionin e vetëm për zhvillim dhe përparim të futbollit e kanë zhvatjen dhe përfitimin e parave në kurriz të perspektivës së fëmijëve dhe të rinjve kosovarë që e duan futbollin dhe duan të rriten në ambient të shëndetshëm, të rrethuar shpresa për sukses.
𝙈𝙚 𝙧𝙚𝙨𝙥𝙚𝙠𝙩, 𝙁𝘾 𝙋𝙧𝙞𝙨𝙝𝙩𝙞𝙣𝙖