Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka folur lidhur me masat e marra ndaj zonave të cilat janë prekur nga vërshimet
Kurti tha se dëmet janë të mëdha, por që rreziku nuk ka kaluar i tëri.
“Dëmet janë të mëdha ndërkaq rreziku nuk ka kaluar i tëri. Reagimi i institucioneve ka qenë i shpejtë. Si qeveri, që nga momenti i parë kemi qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e përmbytura nga uji e si përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Policisë së Kosovës po ashtu, Forcës së Sigurisë së Kosovës, kemi intervenuar për të ofruar mbështetje”, tha Kurti.
Kurti tha se Qeveria dhe institucionet e Kosovës i janë përgjigjur kërkesave të komunave të prekura nga vërshimet.
- Advertisement -
“Njësitet profesionale të pompimit kanë intervenuar në shtëpitë në zonat ku ka pasur përmbytje. Janë siguruar cisterna me ujë të pijes dhe janë shpërndarë në vendet ku kanë qenë më të prekura nga vërshimet.
Njësit e zjarrëfiksëve, kanë bërë hapjen e kanaleve anësore për qarkullim të ujërave dhe renje të nivelit të ujit. Është bërë zhbllokimi i rrugëve nacionale e lokale. Në rastet kur ka pasur dëmtim të madh të infrastrukturës rrugore, janë gjetur rrugë alternative. Sipas kërkesave të komunave, janë siguruar shtretër, batanije barna, pako higjenike, veshmbathje dhe ushqim”.
Kurti tha se për evakuimin e familjeve dhe familjet e evakuara më pas, është kujdesur FSK nëpërmjet gardës kombëtare dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Krahas kësaj, Kurti tha se në vlerësim të dëmëve duhet bëhet edhe vlerësim i sjelljes sonë ndaj mjedisit.
I pari i ekzekutivit potencoi se edhe prerja e pyjeve, mbeturinat, problemet me shtretërit e lumenjve, keqplanifikimi i sistemit të kanalizimit kanë ndikuar në rritjen e shkallës së vërshimeve.